Christian Panucci u prezantua sot si pasues i Gianni De Biasi në stolin e kombëtares sonë.
Si ish-lojtar i kombëtares italiane apo edhe i ekipeve si Milan, Real Madrid, ai njihet gjerësisht nga sportdashësit shqiptarë.
Pasi ka luajtur te të rinjtë e Veloçe Savona dhe Xhenoas, debuton në Serinë me fanellën kuqeblu.
Më pas, kalon te Milani i Fabio Kapelos, ku në mes të viteve 1990 fiton dy tituj, dy Superkupa Italie, 1 Champions dhe 1 Superkupë UEFA.
Transferohet më pas jashtë vendit: në fillim në Madrid, ku te Reali në fund të dekadës fiton një Superkupë Spanje, Champions e tij të dytë në karrierë dhe një kupë Interkontinentale, më pas (duke hequr aventurën e shkurtër me Interin) te Çelsi, ku arrin që të fitojë Superkupën e Anglisë.
Nga Anglia në Francë, aty ku firmos me Monakon, por që nuk do të fitojë asgjë. Rikthimi në Itali vjen në fillim të viteve 2000, kur te Roma e familjes Sensi, që kishte investuar “rëndësishëm”, transferohet me shpresën se do të vinte një titull, por vetëm se sa kthehet në simbol i Qytetit të Përjetshëm, pas tetë sezonesh dhe më shumë se 300 ndeshjesh, duke shënuar 31 gola. Fiton dy herë Kupën e Italisë dhe Superkupën e Italisë numër “3”.
E mbyll karrierën e tij te Parma, duke totalizuar plot 650 ndeshje në futbollin profesionist.
Sa i përket kombëtares së Italisë, pasi grumbullohet me U-21 në vitin 1992, duke fituar Europianin e kategorisë (pra, kësaj moshe) dy herë radhazi në 1994 dhe në 1996, në të dy rastet duke luajtur finalen si titullar, merr pjesë me ekipin e madh në kualifikueset e Euro 1996, Botërorin 1998 dhe Europianin 2000, pa u grumbulluar në fazat finale të turneve.
Kthehet të luajë për Italinë në 2002, duke u thërritur si për fazën finale të Botërorit në Kore dhe Japoni, si për Euro 2004. Pas një tjetër pauze rikthehet të bëhet pjesë e axurrëve në Euro 2008, përpara daljes përfundimtare nga skena me Kombëtaren.
![]()
Rastësia që i shpëtoi jetën
Panucci është zgjedhur kapiten i kombëtares së Italisë në Lojërat Olimpike Atlanta 1996.
Italia ishte në atë kohë nën-kampione e botës. Panucci edhe pse kapiten, në mungesë të Baresit, u detyrua të kthehet më shpejt në shtëpi, për shkak të një dëmtimi.
Panucci kishte planifikuar të merrte avionin “TWA 800” nga New York për në Romë me një ndalesë në Paris, por humbi bagazhet gjatë udhëtimit nga Atlanta.
Ai u informua se kishte një linjë tjetër direkte “Alitalia” që fluturonte në Milano pak më vonë dhe zgjodhi atë. Mirëpo atë ditë, (17 korrik 1996) avioni “TWA 800” u rrëzua dhe 230 pasagjerët humbën jetën.
Fati të çon atje ku nuk e pret dhe sot, pas 21 vjetësh, Christian Panucci emërohet zyrtarisht trajner i Kombëtares së Shqipërisë.
Pasi u tërhoq nga futbolli, karrierën e të cilit e njohin shumë futbolldashës në Shqipëri, Christian Panucci u bë fillimisht analist futbolli dhe komentator ndeshjesh në “SKY Italia”.
Në vitin 2011, ai mori pjesë në edicionin italian “Dancing with the Stars”.
![]()
Christiano Panucci e la punën si analist më 19 Mars 2012 për të pranuar ofertën e Maurizio Zamparini si trajner i Palermo, duke punuar krah drejtorit sportiv Luca Cattani.
Vetëm një muaj më pas u tërhoq nga kjo detyrë.
Më 23 korrik 2012 Panucci u ftua nga Fabio Capello si asistent i tij në drejtimin e Kombëtares së Rusisë.
![]()
E la këtë detyrë pas eliminimit të Rusisë nga Kupa e Botës, Rusi 2018.
Më 18 Mars 2015 ai zuri vendin e Ezio Gelain si trajner i Livornos, në Seria B.
Panucci, 44-vjeç, është me shtetësi gjysmë italiane dhe gjysmë çeke.
Historitë rozë të Panucci-t
Trajneri aktual i Kombëtares, nuk ka shënuar gola vetëm në futboll, por edhe me femrat, pasi ka histori të shumta.
I martuar fillimisht me Isobelle Panucci-n, ai u nda dhe ҫifti ka vetëm një djalë, Juan.
Të divorcuar prej kohësh tashmë, trajneri ka patur rrugën e lirë për t’u përfshirë në më shumë se një histori dashurie.
I lidhur aktualisht me Samanta Togni-n, balerinë dhe një nga trajneret e “Ballando con le stelle”, këto dy personazhe kanë patur uljet e ngritjet e veta në ҫift, ku përfshihen ndarjet e ribashkimet.
Pjesëmarrës në këtë spektakël, Panucci arriti të renditej ndër gjashtë finalistët, së bashku me partneren e tij në këtë konkurs, Agnese Junkure.
Me këtë të fundit, Christian u përfol se pati një lidhje të shkurtër, pasi u fotografuan së bashku në plazhin e Miamit si dhe duke drekuar më pranë njëri-tjetrit se kurrë.
Pas një thashethemi për lidhje me aktoren e televizionit Raffaella Berge në 2006, ishte viti pasues ai që do të sillte lajmin e lidhjes së ish-futbollistit me Rosaria Canavo, lidhje pa sukses, e siç e thamë, së fundmi po shihet vetëm më Samanta Togni-n.
![]()